Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e së premtes në Elbasan, ku një person dyshohet se ka tentuar të qëllojë me armë zjarri një tjetër shtetas brenda ambienteve të një lokali.
Incidenti ka ndodhur më 15 gusht, rreth orës 14:50, duke shkaktuar panik te qytetarët që ndodheshin në lokal dhe në afërsi të tij.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar, i cili mbante një kapelë në kokë, fillimisht kishte qenë i ulur në një tavolinë i shoqëruar nga një grua.
Në një moment, ai është ngritur dhe është drejtuar drejt personit që dyshohet se kishte në shënjestër, i cili ndodhej i ulur në një tavolinë në ambientin e jashtëm të lokalit.
I dyshuari ka nxjerrë armën dhe ka tentuar të qëllojë në drejtim të tij, por arma i ka ngecur dhe nuk ka shkrepur.
Pas dështimit të armës, ai është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, ndërsa incidenti ka shkaktuar frikë dhe pasiguri te personat që ndodheshin aty.
Policia e Shtetit ka mbërritur menjëherë në vendngjarje dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.
Sipas informacioneve paraprake, autori i dyshuar është identifikuar, ndërsa forcat e rendit po punojnë për lokalizimin dhe kapjen e tij.
Grupi hetimor po mbledh prova materiale dhe dëshmitë e personave të pranishëm për të sqaruar motivin dhe dinamikën e plotë të ngjarjes.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


