Një operacion policor kundër trafikimit të armëve të zjarrit nga Kosova drejt Shqipërisë është finalizuar në Maminas, ku janë sekuestruar tri pistoleta, 34 fishekë luftarakë, një automjet dhe një armë e ftohtë.
Operacioni i koduar “Hallkat” çoi në arrestimin në flagrancë të një 34-vjeçari me inicialet M. B., banues në Kukës.
Sipas Policisë, ai dyshohet se po transportonte armët me automjet dhe po hetohet për veprat penale “Trafikimi i armëve dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.
Në pranga ka përfunduar edhe një 39-vjeçare me inicialet D. N., banuese në Prizren, e cila ndodhej si pasagjere në automjet. Ajo dyshohet për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Dyshohet se armët ishin trafikuar nga Kosova dhe synoheshin të shiteshin te grupe kriminale në Shqipëri.
Kontrollet kanë vijuar edhe në banesën e 34-vjeçarit, ku është sekuestruar një armë e ftohtë dhe një dorezë hekuri, raporton Top Channel.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


