Policia e Kosovës ka realizuar një operacion të gjerë në Prishtinë, në kuadër të planit operativ “Stop Drogave”, ku është ndaluar një veturë me targa vendore e drejtuar nga një mashkull kosovar i dyshuar për përfshirje në veprimtari kriminale.
Pas konsultimit me prokurorin kompetent, njësitë policore kanë kryer bastisje në banesën e të dyshuarit, ku është gjetur një armë zjarri me një karikator dhe 13 fishekë.
Kontrollet kanë vijuar edhe në depon e tij, ku janë zbuluar sasi të konsiderueshme të substancave të dyshuara narkotike dhe pajisje për përgatitje dhe shpërndarje.
Në vendin e ngjarjes janë gjetur: 159 paketime të mbështjella me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë dhe 3 qese me substancë të dyshuar të llojit marihuanë me peshë të përgjithshme 336.9 gramë (të gatshme për shitje), 1 qese me pluhur të bardhë e dyshuar për narkotikë të llojit kokainë me peshë 3 gram dhe një peshore digjitale.
Të gjitha provat janë evidentuar, fotografuar dhe tërhequr nga njësia e forenzikës.
Pas përfundimit të procedurave policore dhe me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është intervistuar dhe është dërguar në mbajtje për 48 orë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


