Policia në Mbretërinë e Bashkuar ka arrestuar një burrë nën dyshimin për tentativë vrasjeje, pasi një djalë 3-vjeçar u gjet në gjendje kritike brenda kafazit të krokodilëve në një kopsht zoologjik.
Sipas policisë së Cambridgeshire, oficerët u thirrën në kopshtin zoologjik në orën 13:24 pas raportimeve për një incident që përfshinte një djalë trevjeçar, gjatë të cilit ai përfundoi në zonën ku mbahen krokodilët.
Fëmija është dërguar në spital me lëndime të rënda dhe ndodhet në gjendje kritike, por të qëndrueshme. Autoritetet kanë bërë të ditur se oficerë të trajnuar posaçërisht po ofrojnë mbështetje për djalin dhe familjen e tij.
Një burrë 30-vjeçar nga Norfolk është arrestuar në lidhje me rastin. Policia thotë se në këtë fazë nuk besohet se ai dhe fëmija njihen me njëri-tjetrin, ndërsa hetimet po vazhdojnë.
Inspektorja Detektive Verity McCann tha se policia po zhvillon intervista me personat që ndodheshin në kopshtin zoologjik në kohën e incidentit, për të sqaruar rrethanat.
Kopshti zoologjik “Johnsons of Old Hurst” ka njoftuar se Shtëpia Tropikale, ku mbahen aligatorët dhe krokodilët, do të mbetet e mbyllur deri në një njoftim të ri, në shenjë respekti për familjen e fëmijës.
Në një deklaratë, kopshti zoologjik tha se “mendimet dhe lutjet tona janë me djalin dhe familjen e tij pas këtij incidenti”.
Ndërkohë, deputeti për Huntington, Ben Obese-Jecty, tha se rasti po trajtohet si “kritik” dhe se është duke u zhvilluar një hetim penal. Ai shtoi se mendimet e tij janë me viktimën dhe familjen e tij gjatë kësaj kohe të vështirë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


