Autoritetet në Austri kanë arrestuar një 39-vjeçar në lidhje me një rast të rëndë të kontaminimit të ushqimit për fëmijë me helm për minjtë, një ngjarje që ka shkaktuar alarm të gjerë në disa vende evropiane.
Hetimet nisën pasi në shtetin e Burgenland u gjet një kavanoz me pure karrote dhe patate që përmbante substancë helmuese, duke bërë që kompania prodhuese HiPP të tërhiqte nga tregu një seri të tërë produktesh për foshnja.
Sipas autoriteteve, deri tani janë identifikuar të paktën pesë kavanoza të kontaminuar në Austri, Republika Çeke dhe Sllovaki, përpara se ato të konsumoheshin.
Mediet austriake raportojnë gjithashtu se kompania kishte marrë një email me kërkesë për 2 milionë euro, por mesazhi nuk ishte vënë re në kohë, pasi adresa kontrollohej vetëm periodikisht.
Policia e Burgenlandit konfirmoi arrestimin, por theksoi se hetimet janë ende në zhvillim dhe detaje të tjera nuk mund të bëhen publike.
Autoritetet paralajmërojnë se mund të ketë ende kavanoza të dyshuar në qarkullim dhe u kanë bërë thirrje prindërve të kontrollojnë me kujdes produktet, veçanërisht në rastet kur kapakët duken të dëmtuar apo të hapur.
Institucionet shëndetësore në Austri kanë kërkuar që çdo prind që vëren simptoma të pazakonta te fëmijët, si dobësi e theksuar apo shenja gjakderdhjeje, të kërkojë menjëherë ndihmë mjekësore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


