Artisti shqiptar i hip-hopit, Ari Bajgora, ka reaguar në Instagram pasi në një mur përgjatë lumit Akerselva, në lagjen e tij në Oslo, ishte shkruar “Kosovo er Serbia” (“Kosova është Serbi”).
Bajgora ka publikuar fotografi të mbishkrimit, ndërsa në një tjetër pamje shihet se ai është mbuluar me bojë të zezë.
Në reagimin e tij, artisti ka shprehur shqetësimin për praninë e një mesazhi të tillë në lagjen ku jeton, duke thënë se për njerëzit që kanë përjetuar luftërat në Ballkan, mesazhe të tilla nuk janë thjesht fjalë apo simbole.
“Është e trishtueshme ta shohësh këtë përgjatë Akerselva-s, në lagjen time. Në mur shkruan ‘Kosova është Serbi’”, ka shkruar Bajgora.
Ai ka theksuar se simbolet nacionaliste, sipas tij, rikthejnë kujtime të frikës, humbjeve dhe plagëve të luftërave në Ballkan.
“Për shumë njerëz ndoshta është thjesht një flamur dhe disa fjalë, por për ata që kanë kaluar nëpër luftërat në Ballkan, ose janë rritur me trashëgiminë e tyre, është diçka krejt tjetër”, ka shkruar ai.
Bajgora ka përmendur edhe pasojat e luftërave në rajon, duke thënë se mijëra njerëz humbën jetën dhe miliona u dëbuan nga shtëpitë e tyre.
“Mendoj se është edhe e trishtueshme, edhe provokuese që në Norvegji, ku njerëzit kanë gjetur paqe dhe siguri, disa zgjedhin të vazhdojnë të mbajnë qëndrime helmuese, por edhe të ndihen të autorizuar t’i pikturojnë ato në një mur në hapësirën publike”, ka shtuar ai.
Në fund, artisti ka bërë thirrje për dallimin mes dashurisë për vendin e origjinës dhe përdorimit të hapësirave publike për mesazhe nacionaliste.
“Mund ta duash gjuhën tënde, kulturën dhe historinë tënde. Por ekziston një kufi mes mbajtjes së atdheut në zemër dhe përdorimit të lagjeve tona si kanavacë për propagandë nacionaliste”, ka shkruar Bajgora.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


