Sunday, September 20, 2026
spot_img
HomeLajmeBreuer zgjidhet në krye të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Zemaj: Do të...

Breuer zgjidhet në krye të Komitetit Ushtarak të NATO-s, Zemaj: Do të jetë vlerë për rajonin

Drejtori i Departamentit për Amerikë në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Astrit Zemaj, ka reaguar pas zgjedhjes së gjeneralit gjerman Carsten Breuer si kryesues i ardhshëm i Komitetit Ushtarak të NATO-s.

Sipas NATO-s, Breuer, aktualisht Shef i Mbrojtjes së Gjermanisë, do ta marrë detyrën në verën e vitit 2027 dhe do të ketë mandat trevjeçar.

Zemaj ka thënë se e njeh nga afër gjeneralin Breuer, me të cilin është takuar gjatë shërbimit të tij në Gjermani dhe në NATO.

Ai ka theksuar se Breuer ka shërbyer edhe në Kosovë, si komandant i forcave gjermane të Brigadës Shumëkombëshe Jugperëndimore të KFOR-it në Prizren.

Në reagimin e tij, Zemaj ka shprehur edhe mirënjohje për admiralin italian Giuseppe Cavo Dragone, kryesuesin aktual të Komitetit Ushtarak të NATO-s, me të cilin ka punuar gjatë shërbimit në NATO.

“Partneriteti i fortë me NATO-n dhe perspektiva euroatlantike e Kosovës duhet të vazhdojnë të jenë ndër prioritetet tona strategjike”, ka shkruar Zemaj.

Ai i ka uruar Breuerit sukses në detyrën e re, duke vlerësuar se përvoja e tij në NATO dhe njohja me realitetin e Kosovës do të jenë të rëndësishme për paqen, sigurinë dhe stabilitetin në rajon.

Kryesuesi i Komitetit Ushtarak është oficeri më i lartë ushtarak i NATO-s dhe këshilltari kryesor ushtarak i Sekretarit të Përgjithshëm të Aleancës.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT