Apple po teston një prototip të ri të iPhone-it me ekran 6.96 inç, i cili, nëse hyn në prodhim, do të jetë modeli i parë i kompanisë me ekran pothuajse 7 inç.
Sipas raportimeve nga burime të industrisë, pajisja pritet të prezantohet në vitin 2027 si pjesë e linjës speciale që Apple do të lansojë me rastin e 20-vjetorit të iPhone-it. Modeli mund të mbajë emrin iPhone 20 Pro Max.
Ekrani i ri do të jetë më i madh se ai i gjeneratës aktuale Pro Max, ndërsa rritja e diagonales pritet të arrihet kryesisht falë skajeve më të holla të ekranit dhe një dizajni të ri me xham të lakuar, pa rritur ndjeshëm përmasat e telefonit.
Raportohet gjithashtu se Apple po punon në një ridizajnim të rëndësishëm të modeleve jubilare, me ekran që mbulon pothuajse të gjithë pjesën e përparme të pajisjes dhe efikasitet më të lartë energjetik falë një kontrolluesi të ri për ekranin OLED.
Megjithatë, bëhet fjalë ende për prototipe në fazën e testimit, ndaj specifikimet dhe dizajni përfundimtar mund të ndryshojnë para prezantimit zyrtar. Deri më tani, Apple nuk ka komentuar këto raportime.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


