Opinionistja Anita Shabani ka kritikuar ashpër mënyrën se si u zhvillua seanca për konstituimin e Kuvendit, duke e cilësuar ndërprerjen e saj si rezultat të një interpretimi politik dhe jo juridik.
Shabani në emisionin “Rubikon” në Klan Kosova tha se përpjekja për ta kthyer një çështje procedurale në çështje politike është e rrezikshme dhe përbën shkelje të rendit kushtetues.
“Çështja ose tendenca që po e shoh për procedurën me e kthyenë çështje politike është problematike. Ne po e shohim që z.Kurti është duke e shkelur Kushtetutën”, deklaroi ajo.
Sipas Shabanit, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, me veprimet e tij po dëshmon se nuk e njeh Kushtetutën e Kosovës.
“Z. Kurti nuk e njeh shtetin e Kosovës. Me veprimet e z.Kurti tregon që ai nuk e njeh as Kushtetutën, as ligjet, as aktet nënligjore që rrjedhin nga institucionet tona. Nuk e njeh as institucionin e Kuvendit të Republikës së Kosovës”, u shpreh ajo.
Shabani kritikoi edhe faktin që Kurti mbajti fjalim gjatë seancës, duke thënë se kjo ishte në kundërshtim me procedurat.
“Sot ai mbajti fjalim në seancë. Ne po flasim ndoshta për një procedurë të shkelur, por një shtet është i formuar mbi procedura, sepse nëse nuk ka procedura, ne kemi të bëjmë me anarki”, tha ajo./Klankosova.tv


