Thursday, May 28, 2026
spot_img
HomeLajmeApeli ndryshon pjesërisht vendimin në rastin “Cobra City”, ulet dënimi për një...

Apeli ndryshon pjesërisht vendimin në rastin “Cobra City”, ulet dënimi për një të akuzuar

Gjykata e Apelit e Kosovës ka marrë vendim duke ndryshuar pjesërisht aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, në rastin e njohur si “Cobra City”.

Sipas aktgjykimit të Apelit APS.nr.7/2026, është aprovuar pjesërisht ankesa e mbrojtjes së të akuzuarit R.S., vetëm sa i përket veprës penale “manipulimi me prova”. Për këtë vepër, Gjykata e Apelit ka shqiptuar dënim me burgim prej 3 vitesh, ndërsa dënimi unik për tri veprat penale për të cilat ai është shpallur fajtor është caktuar në 5 vite burgim.

Në pjesën tjetër, Apeli ka refuzuar si të pabazuara ankesat e mbrojtësve të disa të akuzuarve dhe ka vërtetuar vendimin e shkallës së parë për ta.

Gjykata ka hedhur gjithashtu si të palejuar një ankesë të palës së dëmtuar, ndërsa ka anuluar një aktvendim të mëparshëm lidhur me kërkesën për kthimin e një sendi të sekuestruar, duke e kthyer çështjen në rivendosje në shkallë të parë.

Në këtë rast, Gjykata Themelore më herët kishte dënuar të akuzuarit me burgime të ndryshme, përfshirë dënim prej 24 vitesh për një nga të pandehurit kryesorë, ndërsa Gjykata e Apelit ka konfirmuar pjesën më të madhe të aktgjykimit të shkallës së parë, duke bërë vetëm ndryshime të pjesshme.

Apeli ka vlerësuar se procesi gjyqësor është zhvilluar në mënyrë të ligjshme dhe se aktgjykimi i shkallës së parë përmban arsye të qarta dhe të mjaftueshme për vendimet e marra.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT