Gjykata e Apelit e Kosovës ka lënë në fuqi dënimin me burgim të përjetshëm për dy vëllezërit Jeton dhe Nexhat Vllasaliu, të cilët u shpallën fajtorë për vrasjen makabre të biznesmenit Bedri Rexhepi dhe për dëmtim të varreve. Vendimi i Apelit refuzoi të gjitha ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve, duke konfirmuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, PKR.nr.533/2022, të datës 28 maj 2025.
Gjykata Themelore – Departamenti për Krime të Rënda – kishte konstatuar se dy vëllezërit Vllasaliu kryen në bashkëkryerje veprat penale “Vrasja e rëndë” dhe “Dëmtimi i varreve apo kufomave”. Në vendimin e dhënë, gjykata kishte llogaritur edhe kohën që secili prej tyre kishte kaluar në paraburgim.
Në arsyetimin e saj, Gjykata e Apelit thekson se aktgjykimi i shkallës së parë nuk përmban shkelje esenciale të procedurës penale dhe se gjykata ka dhënë arsye të qarta dhe të plota për faktet e vërtetuara, vendin, kohën dhe mënyrën e kryerjes së veprave penale. Të gjitha provat, personale dhe materiale, janë vlerësuar në mënyrë të drejtë dhe të plotë.
“Sa i përket pretendimeve ankimore lidhur me shkeljen e ligjit penal, Gjykata e Apelit vlerëson se shkalla e parë në mënyrë të plotë dhe të drejtë ka vërtetuar ekzistimin e secilës vepër penale, pasi që ka vlerësuar të gjitha provat sikurse ato personale e po ashtu edhe ato materiale, andaj kolegji gjykues vlerëson se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë dhe të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike kur të akuzuarit i ka shpallur fajtor , pasi që nuk ekzistojnë rrethana që e përjashtojnë përgjegjësinë penale dhe ndjekjen penale nga të akuzuarit.”, thuhet në njoftim.
“Duke i vlerësuar të gjitha rrethanat e përshkruara si në këtë aktgjykim, kolegji gjykues është i bindur se me dënimin e shqiptuar me burgim të përjetshëm do të arrihet efekti dhe qëllimi i tij, që të parandalojë kryerësit nga kryerja e veprave penale në të ardhmen dhe të bëjë rehabilitimin e tij, të parandalojë personat e tjerë nga kryerja e veprave penale, të bëjë kompensimin e viktimave ose të komunitetit për humbjet ose dëmet e shkaktuara dhe të shprehë gjykimin shoqëror për veprën penale, ngritjen e moralit dhe forcimin e detyrimit për respektimin e ligjit”, thuhet tutje.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


