Një analizë e re shkencore ka treguar se përdorimi i antidepresivëve gjatë shtatzënisë, në shumicën e rasteve, nuk lidhet drejtpërdrejt me shfaqjen e autizmit apo çrregullimit të deficitit të vëmendjes me hiperaktivitet (ADHD) te fëmijët.
Studimi, i publikuar në revistën “The Lancet Psychiatry”, ka analizuar 37 hulumtime të mëhershme që përfshijnë mbi 600 mijë shtatzëna që kanë përdorur antidepresivë dhe rreth 25 milionë shtatzëni pa përdorimin e tyre.
Fillimisht, të dhënat sugjeruan një rritje të lehtë të rrezikut për ADHD dhe autizëm. Por pasi studiuesit morën parasysh faktorë si gjenetika, historia familjare dhe gjendja mendore e prindërve, këto lidhje u dobësuan ndjeshëm ose u zhdukën plotësisht.
Sipas autorëve të studimit, rezultatet tregojnë se rreziqet e vërejtura më herët lidhen kryesisht me shëndetin mendor të prindërve dhe faktorët familjarë, e jo me vetë barnat.
Ekspertët theksojnë se antidepresivët, veçanërisht grupi SSRI, mbeten trajtim i rëndësishëm për depresionin gjatë shtatzënisë dhe nuk duhet të ndërpriten pa këshillë mjekësore.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


