Monday, September 14, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Dyshohet se falsifikonte dokumente për lejeqëndrim – Murat Demirtepe del...

LEX | Dyshohet se falsifikonte dokumente për lejeqëndrim – Murat Demirtepe del para Gjykatës, në dosje edhe vula e Konsullatës

Shtetasi turk Murat Demirtepe ka dalë sot para Gjykatës Themelore në Prishtinë, ku ndaj tij po zhvillohet procedura penale për një rast që lidhet me falsifikimin e dyshuar të dokumenteve dhe parave, si dhe me posedimin e paautorizuar të armës.

Seanca është mbajtur në Departamentin e Përgjithshëm – Divizioni Penal, para gjyqtarit Driton Berisha.

Emri i Demirtepes nuk është i panjohur për publikun. Gazeta Sinjali kishte raportuar edhe më herët për të, pas arrestimit të tij së bashku me shtetasin tjetër turk, Ihsan Kiliç, gjatë një operacioni policor të zhvilluar në Prishtinë.

Rasti kishte nisur pas dyshimeve se në një zyrë ndërmjetësimi me emrin “Anatolia Express” përgatiteshin dokumente të falsifikuara për shtetas turq, të cilat dyshohet se përdoreshin gjatë aplikimit për leje të përkohshme qëndrimi në Kosovë.

Hetimet kishin çuar Policinë në tri lokacione të ndryshme, ku gjatë kontrolleve ishin gjetur dhe sekuestruar materiale të shumta që dyshohej se lidheshin me veprimtarinë e kundërligjshme.

Në mesin e provave materiale të sekuestruara ishin gjashtë vula me përmbajtje të ndryshme. Njëra prej tyre mbante mbishkrimin e Konsullatës së Turqisë në Prishtinë dhe dyshohej se ishte përdorur për përgatitjen ose vulosjen e dokumenteve të falsifikuara.

Policia kishte sekuestruar gjithashtu dokumente të ndryshme të dyshuara si të falsifikuara, një armë, katër telefona celularë dhe dy laptopë. Pajisjet elektronike dyshohej se mund të përmbanin të dhëna të rëndësishme për hetimin dhe mënyrën e funksionimit të kësaj veprimtarie.

Gjatë operacionit ishin gjetur edhe kartëmonedha, si dhe 671 monedha metalike të dyshuara si të falsifikuara, me vlerë të përgjithshme prej 1 mijë e 342 eurosh.

Në kuadër të hetimeve ishin intervistuar gjashtë shtetas turq në cilësinë e dëshmitarëve. Sipas deklaratave të tyre, dokumentet që posedonin ishin përgatitur në zyrën “Anatolia Express”.

Këto deklarata, bashkë me vulat, dokumentet, paratë dhe pajisjet elektronike të sekuestruara, ishin bërë pjesë e dosjes së rastit që tashmë ka mbërritur para Gjykatës.

Demirtepe po përballet me pretendimet e organit të akuzës për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve”, “Falsifikimi i parasë” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

Në procedurën gjyqësore pritet të shqyrtohen pretendimet e Prokurorisë, provat e mbledhura gjatë hetimeve dhe kundërshtimet e mbrojtjes.

Demirtepe konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT