Ish-ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, është duke u intervistuar në Prokurorinë Speciale të Kosovës.
Sipas raportimit të gazetares së Klan Kosovës, Qëndresa Tërshani, Aliu ndodhet brenda ambienteve të Prokurorisë Speciale bashkë me avokatin e tij, Artan Qerkini.
Informacionet e bëra publike deri tani janë jozyrtare dhe ende nuk ka një konfirmim nga Prokuroria Speciale për intervistimin e tij.
Gazetarja Tërshani tha se Aliu po merret në pyetje në lidhje me një rast të dyshuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare gjatë kohës sa ishte ministër në Qeverinë Kurti, pozitë të cilën e mbajti deri në gusht të vitit 2025, kur dha dorëheqje.
“Kemi informacione që i njëjti po merret në pyetje edhe për një rast për ambalazhuesit e ujit si dyshimet edhe të Prokurorisë Speciale që kanë bërë hetime qysh kah fundi i vitit 2024 e këndej. Do të shohim se çfarë mase do të kërkojë Prokuroria ose më saktësisht për çfarë po merret në pyetje”, tha ajo, njofton Klankosova.tv.


