Aleanca ka mbajtur mbledhjen e radhës të Kryesisë, në të cilën është diskutuar situata politike pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe procesi për zgjedhjen e presidentit të Kosovës.
Në njoftimin pas mbledhjes, Aleanca ka thënë se kjo ishte mbledhja e parë e Kryesisë pas vendimit të Speciales dhe se është zhvilluar pak ditë para përfundimit të afatit për zgjedhjen e presidentit.
“Sot mbajtëm mbledhjen e radhës të Kryesisë së Aleancës, të parën pas vendimit të Gjykatës Speciale në Hagë dhe pak ditë para afatit të fundit për zgjedhjen e presidentit.
Aleanca vazhdon të jetë e prerë nga fillimi në raport me Specialen, derisa, do të vazhdojë të kërkojë nga të gjitha palët që procesin e ndihmës ligjore për krerët e UÇK-së në Hagë dhe mbrojtjen e të drejtës tonë shtetërore në asnjë moment të mos e ngaterrojmë me politika partiake”, thuhet në njoftim.
Sa i përket procesit për zgjedhjen e presidentit, Aleanca ka shprehur shqetësimin për zvarritjen e mëtejshme të këtij procesi dhe për mundësinë e përdorimit të afateve dhe procedurave të reja në Gjykatën Kushtetuese.
Në fund, Aleanca ka deklaruar se do të vazhdojë angazhimin e saj politik për, siç thuhet, mbrojtjen e rendit kushtetues dhe rikthimin e normalitetit institucional.
“Aleanca ka qenë konsistente dhe konstruktive për çdo çështje që lidhet me historinë tonë, me të sotmen dhe me të ardhmen e fëmijëve tanë. Ne do të vazhdojmë të angazhohemi me të gjitha rrugët tona politike për të mbrojtur rendin kushtetues dhe për të rikthyer normalitetin institucional, si dhe zhvillimin ekonomiko-social në vend”, thuhet në njoftimin e Aleancës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


