Në Kosovë vazhdon të mbetet sfidë serioze siguria në punë, veçanërisht në sektorin e ndërtimtarisë, ku rastet fatale janë shtuar. Vetëm gjatë pesë muajve të parë të vitit, numri i vdekjeve në vendin e punës ka arritur në 12.
Rasti më i fundit ka ndodhur në Vushtrri, ku një 31-vjeçar ka humbur jetën të enjten, pasi dyshohet se ka rënë nga një ndërtesë që ishte në ndërtim e sipër.
Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin, duke bërë të ditur se viktima ishte duke punuar në momentin e incidentit.
Shqetësuese mbetet fakti se rastet fatale po ndodhin në një periudhë kur Ministria e Punës, Familjes dhe Vlerave të Luftës Çlirimtare, në bashkëpunim me Inspektoratin e Punës, kishte nisur një aksion 15-ditor për inspektimin e vendeve të punës.
Aksioni ishte fokusuar në sektorët me rrezikshmëri të lartë, përfshirë ndërtimtarinë, me qëllim rritjen e respektimit të kushteve të sigurisë në punë, ku më herët janë raportuar shqetësime të vazhdueshme për kushtet e punës.
Megjithatë, dënimet për rastet e vdekjeve dhe lëndimeve të rënda në vendin e punës nga gjykatat në Kosovë mbeten minimale.
Sipas aktgjykimeve, në shumicën e rasteve janë shqiptuar vetëm gjoba për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.
Këto dënime konsiderohen të lehta, sidomos kur merret parasysh se Kodi Penal parasheh dënim deri në 10 vjet burgim për rastet që përfshijnë lëndime të rënda trupore dhe nuk parashikon mundësinë e zëvendësimit me gjobë.
Kur punëtorët humbin jetën në vendin e punës si pasojë e mungesës së masave mbrojtëse nga kompanitë, ligji parasheh dënime deri në 12 vjet burgim. Megjithatë, nga aktgjykimet nuk rezulton që të jetë shqiptuar asnjë dënim i tillë.
Këto janë disa nga rastet që ka raportuar Sinjali:
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


