Aktorja e njohur hollivudiane, Gal Gadot, ka folur për jetën familjare dhe sfidat e të qenit nënë e katër vajzave, duke e cilësuar mëmësinë si “superfuqinë” e saj.
Gadot, e cila është e martuar me Jaron Varsano, ka katër vajza: Alma, Maya, Daniella dhe Ori. Aktorja ka thënë se kur gjithçka është në rregull në familjen e saj, ndihet e pathyeshme.
“Rritja e katër vajzave është shumë, mes orareve, shkollave dhe gjithçkaje që lidhet me to. Kur në shtëpi ka lumturi dhe gjithçka shkon mirë, ndihem sikur kam bërë atë që duhet. Të qenit nënë është superfuqia ime”, është shprehur ajo.
Ndërkohë, Gadot është protagoniste e filmit të ri aksion-thriller, “The Runner”, ku luan rolin e një avokateje në Londër, djalin e së cilës e rrëmbejnë. Për ta shpëtuar, ajo detyrohet të vrapojë nëpër qytet dhe të zbatojë një sërë urdhrash të rrezikshëm. Filmi do të publikohet në Prime Video më 2 shtator.
Për këtë rol, aktorja iu nënshtrua një përgatitjeje intensive fizike, veçanërisht për skenat e shumta të vrapimit.
Gadot ka treguar se vrapimi ishte një nga sfidat më të mëdha për të, pasi nuk kishte qenë më parë vrapuese.
“Unë nuk kam qenë kurrë vrapuese. E urrej vrapimin”, ka deklaruar ajo.
Për rreth nëntë muaj, ajo është trajnuar me disa trajnerë, ndërsa për teknikën e vrapimit është ndihmuar edhe nga trajneri olimpik Malachi Davis.
Pavarësisht angazhimeve profesionale, Gadot ka thënë se dëshiron të kalojë më shumë kohë me familjen dhe të udhëtojë me ta.
“Dua të udhëtoj më shumë, jo për punë, por si familje, të eksplorojmë botën dhe të zbulojmë vende të reja. Nuk kërkoj shumë, vetëm shëndet për të gjithë ne”, ka thënë ajo.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


