Policia e Malit të Zi është vënë në kërkim të shtetasit rus, Mihail Shabunjin, 30-vjeç, i cili dyshohet për kryerjen e një vrasjeje të trefishtë të hënën në Danilovgrad.
Sipas policisë, Shabunjin dyshohet se me armë zjarri ka vrarë Petar Globareviqin, 24-vjeç, nga Podgorica, Momir Radonjiqin, 67-vjeç, nga Danilogradi, dhe Nemanja Kaporin, 20-vjeç, nga Podgorica.
Të tre viktimat ishin të punësuar në poligonin e qitjes “Češka zbrojevka”, në afërsi të Danilovgradit, raporton media malazeze “Vijesti”.
Policia po verifikon nëse i dyshuari është larguar nga vendi i ngjarjes me një veturë “Seat Cordoba”, me targa PG AC 472. Sipas “Vijesti”, automjeti është në pronësi të babait të njërit prej viktimave.
Forcat e rendit kanë nisur kërkime intensive për gjetjen dhe arrestimin e të dyshuarit, ndërsa kanë paralajmëruar se ai konsiderohet i armatosur dhe i rrezikshëm.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve që të qëndrojnë në shtëpitë e tyre dhe të mos i afrohen të dyshuarit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


