Shtatë persona kanë mbetur të lënduar si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur sot në autostradën “Ibrahim Rugova”, në segmentin te “Qafa e Duhlës”, në drejtim të Prishtinës.
Në aksident janë përfshirë tri vetura dhe një kamion, ndërsa për shkak të përplasjes kanë intervenuar ekipet emergjente.
Rastin e ka konfirmuar për Sinjalin Policia e Kosovës, e cila ka bërë të ditur se hetuesit e Njësisë së Autostradës kanë dalë në vendin e ngjarjes për të kryer procedurat hetimore.
“Hetuesit e njësitit të autostradës janë në vendin e ngjarjes. Rruga është e lëshuar, njëri nga shiritat ka qenë vazhdimisht i lirë për qarkullim”, kanë deklaruar nga Policia.
Sipas policisë, për gjendjen shëndetësore dhe natyrën e lëndimeve të personave të përfshirë, hetuesit pritet të marrin informacione më të hollësishme edhe nga institucionet shëndetësore.
Rrethanat që çuan deri te aksidenti ende nuk janë bërë të ditura, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rastit po vazhdojnë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


