Wednesday, July 29, 2026
spot_img
HomeLajmeHaradinaj kërkon hetim serioz për varrezën masive të dyshuar në Kalludër të...

Haradinaj kërkon hetim serioz për varrezën masive të dyshuar në Kalludër të Zubin-Potokut

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka reaguar lidhur me zbulimin e lokacionit të dyshuar të një varreze masive në fshatin Kalludër të Vogël, në komunën e Zubin-Potokut, duke kërkuar hetim të plotë dhe profesional për zbardhjen e rastit.

Haradinaj ka deklaruar se çështja e personave të zhdukur gjatë luftës mbetet një nga plagët më të mëdha të shoqërisë kosovare dhe se zbardhja e fatit të tyre është përgjegjësi kombëtare.

Sipas tij, lokacioni i dyshuar në Kalludër kërkon angazhim të vazhdueshëm institucional, me qëllim që të zbardhen të gjitha rrethanat dhe të nxirren përgjegjësit para drejtësisë.

“Varreza masive në fshatin Kalludër të Zubin Potokut kërkon hetim serioz, profesional dhe angazhim të pandalshëm për të detyruar Serbinë që të hapë arkivat ushtarake dhe të tregojë vendndodhjen e trupave”, ka deklaruar Haradinaj.

Ai ka theksuar se pa zbardhjen e fatit të personave të zhdukur nuk mund të ketë paqe të plotë dhe ka kërkuar që kjo çështje të mbetet në fokus të institucioneve të Kosovës dhe bisedimeve ndërkombëtare.

Reagimi i Haradinajt vjen pas zhvillimeve të fundit në hetimin për rastin e Kalludrës së Vogël, ku dyshohet për vrasjen e 23 civilëve shqiptarë gjatë luftës së vitit 1999.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT