Investimet globale në infrastrukturën e inteligjencës artificiale mund të arrijnë në rreth 28.1 trilionë euro deri në vitin 2050, ndërsa kompanitë teknologjike po investojnë shuma të mëdha për të ndërtuar qendra të të dhënave dhe kapacitete të reja për AI.
Sipas PwC-së, investimet globale në infrastrukturën e AI-së mund të arrijnë në 31.6 trilionë dollarë, ose rreth 28.1 trilionë euro, gjatë periudhës deri në vitin 2050.
Vetëm shpenzimet për qendrat e të dhënave mund të kalojnë 26.7 trilionë euro në të njëjtën periudhë.
Shifrat tregojnë përmasat e jashtëzakonshme të garës globale për inteligjencën artificiale. Kompanitë po ndërtojnë qendra të reja të të dhënave, po blejnë çipa dhe po investojnë në energji e teknologji që nevojiten për funksionimin e sistemeve të AI-së.
Reuters, në një analizë të publikuar të premten, thekson se ritmi i këtyre investimeve po ngre edhe pyetje për mënyrën se si do të gjenerohen të ardhurat e nevojshme për t’i mbuluar ato.
Një nga shembujt është Anthropic, e cila sipas dokumenteve të ofertës publike të kompanisë, të parë nga Reuters, planifikon të shpenzojë rreth 518 miliardë dollarë, ose afërsisht 461.5 miliardë euro, në vitet e ardhshme.
Ndërkohë, Bain & Company vlerëson se kompanitë që ndërtojnë infrastrukturën për AI do të kenë nevojë për më shumë se 3.7 trilionë euro të ardhura të reja gjatë pesë viteve për të financuar këtë zgjerim.
Në SHBA, investimet në AI mund të arrijnë rreth 8 trilionë euro gjatë viteve 2025–2032.
Ekonomisti Stijn Van Nieuwerburgh ka llogaritur se sektori amerikan i AI-së do të duhet të gjenerojë rreth 3.2 trilionë euro të ardhura në vit deri në vitin 2032 për të arritur një kthim prej 10 për qind mbi investimet.
Megjithatë, ndikimi i këtyre investimeve në produktivitet mbetet i pasigurt. Analiza vëren se teknologjitë e mëdha historikisht kanë marrë vite, e në disa raste edhe dekada, para se përfitimet e tyre të shfaqeshin plotësisht në ekonominë globale.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


