Formimi i institucioneve të Kosovës e në veçanti zgjedhja e presidentit ishin një prej temave që u diskutua sonte në Rubikon të Klan Kosovës.
Avokati Ardian Bajraktari, shpjegoi aspektin juridik dhe procedural të afatit për zgjedhjen e shefit të ri të shtetit.
Sipas Bajraktarit, afati kushtetues fillon të rrjedh prej momentit kur konstituohet Kuvendi përkatësisht një ditë pas.
“Sipas intepretimit të fundit të Gjykatës Kushtetuese, afati prej 60 ditësh si detyrim i deputetëve për zgjedhjen e presidentit, fillon të rrjedh prej momentit të konstituimit të Kuvendit dhe kjo është e pakontestueshme. Prej ditës së nesërme kur konstituohet Kuvend, sipas rregullit fillon të rrjedhë afati prej 60 ditësh kur duhet të zgjedhet edhe presidenti. Moszgjedhja e tij, natyrisht që e çon automatikisht vendin në zgjedhje, të cilat duhet të mbahen jo më vonë se 45 ditë prej momentit të kalimit të këtij afati”, tha Bajraktari njofton Klankosova.tv.


