Vdekja tragjike e një punëtori 20-vjeçar në një vendpunishte ndërtimi në Prishtinë ka nxitur reagime të ashpra ndaj kushteve të sigurisë në punë.
Kolektivi për Mendim të Mirë dhe Veprim Feminist e ka cilësuar rastin si pasojë të neglizhencës institucionale dhe mungesës së mbrojtjes për punëtorët, duke kërkuar përgjegjësi dhe ndryshime të menjëhershme.
Përmes një komunikate, kolektivi njoftoi se ka realizuar edhe grafite në disa pjesë të Prishtinës, si shenjë reagimi ndaj humbjes së jetës së të riut dhe për të tërhequr vëmendjen mbi, siç thonë, gjendjen alarmante në sektorin e ndërtimit.
Në reagim, kjo organizatë akuzon institucionet dhe sektorin e ndërtimit për dështim në garantimin e sigurisë së punëtorëve.
“Me pikëllim e revoltë e pamë sot tek shpaloset edhe një episod fatal i kapitalizmit të egër e vrastar që nxori edhe një kufomë prej punishteve të ndërtimit dhe la të tjerë të plagosur”, thuhet në komunikatë transmeton Klankosova.tv.
Sipas tyre, punëtorët e ndërtimit vazhdojnë të përballen me kushte të rënda pune, paga të ulëta dhe mungesë të masave të nevojshme të sigurisë.
“Mafia e ndërtimit tash e sa kohë po ngreh godina mbi gjakun e punëtorëve, ndërsa shteti i bëhet hisedar në trashje të pushtetit dhe shtypje kriminale të klasës punëtore. Në një shtet që më së paku i takon punëtorëve, për kapitalistët mafiozë kurbani i fitimit janë njerëzit që flijohen për t’i ushqyer apetitet për fitim e grumbullim”, thuhet në reagim transmeton Klankosova.tv.
Kolektivi thekson se shumë punëtorë detyrohen të punojnë në temperatura të larta, me kushte të vështira dhe pa mbrojtje të mjaftueshme, ndërsa institucionet, sipas tyre, ose tregohen indiferente ose dështojnë të veprojnë.
Në fund të reagimit, ata u bëjnë thirrje punëtorëve për organizim dhe mbrojtje të të drejtave të tyre, duke theksuar se vetëm përmes solidaritetit dhe mobilizimit mund të parandalohet përsëritja e rasteve të tilla tragjike.


