Tetë vjet pas nisjes së punimeve, autostrada e Gjilanit vazhdon të jetë një nga projektet më të zvarritura infrastrukturore në Kosovë. E nisur me premtimin se do të përfundonte brenda 30 muajve dhe me një kosto fillestare prej mbi 88 milionë eurosh, sot projekti është shndërruar në një histori vonesash, aneks-kontratash, miliona euro pagesa shtesë dhe afate të parealizuara.
Gjatë këtyre viteve, qytetarët kanë dëgjuar vazhdimisht premtime për përfundimin e autostradës. Në periudha të ndryshme, zyrtarë të lartë shtetërorë kanë paralajmëruar afate të reja dhe kanë siguruar se projekti po shkon drejt përfundimit. Mirëpo, në vend të prerjes së shiritit inaugurues, shteti tash po përgatitet për ndërprerjen e një pjese të kontratave që lidhen me këtë projekt, raporton Kiks Kosova.
Në dhjetor të vitit 2025, ministri i atëhershëm i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, kishte deklaruar publikisht se katër kontrata të autostradës së Gjilanit tashmë ishin shkëputur dhe se, pas nënshkrimit të kontratave të reja, projekti do të mund të përfundonte brenda një viti. Por dokumentet e siguruara nga Kiks Kosova tregojnë se situata juridike dhe kontraktuale ishte më e ndërlikuar sesa u paraqit në publik.
Në dokumentet zyrtare nuk flitet për vendime përfundimtare të shkëputjes së kontratave, por për rekomandime dhe inicime të procedurave për ndërprerjen e tyre. Operatorëve ekonomikë u ishte lënë afat për paraqitjen e kundërshtimeve dhe ankesave, ndërsa ministria po vazhdonin procedurat administrative të nevojshme para marrjes së një vendimi final.
Madje, dokumentet tregojnë se Ministria e Infrastrukturës kishte autorizuar edhe kryerjen e matjeve profesionale gjeodezike për të verifikuar gjendjen reale në terren, punët e kryera dhe ato të pakryera, si dhe për të përgatitur raportin final mbi gjendjen e projektit. Kjo nënkupton se procesi ende nuk kishte kaluar në fazën përfundimtare të mbylljes tekniko-financiare të kontratave.
Në të njëjtën kohë, Ministria argumenton se operatorët ekonomikë kanë dështuar të përmbushin obligimet kontraktuale, duke mos vazhduar garancionet e ekzekutimit, duke mos shtuar kapacitetet sipas planit dinamik dhe duke mos realizuar punët e mbetura edhe pas ndryshimeve dhe riprojektimeve të shumta të projektit.
Megjithatë, këto probleme nuk janë shfaqur brenda natës. Për vite me radhë janë nënshkruar aneks-kontrata të reja, janë bërë pagesa shtesë dhe janë miratuar ndryshime në projekt. Ndërkohë, kostoja e përgjithshme e autostradës është rritur nga 88 milionë euro në afro 100 milionë euro, ndërsa projekti vazhdon të mbetet i papërfunduar.
Pikërisht për këtë arsye, dilema që shtrohet sot nuk është vetëm nëse kontratat do të shkëputen apo jo, por se, si një projekt që duhej të përfundonte në vitin 2020, që ka kushtuar afro 100 milionë euro dhe që është shoqëruar me premtime të vazhdueshme politike, ka përfunduar tetë vjet më vonë në fazën e rekomandimeve për shkëputje kontratash.
Detajet i gjeni më poshtë në kronikat e përgatitura nga emisioni investigativ, Kiks Kosova:
Emisioni i plotë:


