Një ngjarje e rëndë është regjistruar mëngjesin e sotëm në fshatin Mengel, në aksin rrugor Elbasan–Librazhd, ku një fëmijë rreth 7 vjeç ka humbur jetën si pasojë e përplasjes nga një automjet.
Sipas të dhënave paraprake të policisë, ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:00, teksa i mituri po kalonte rrugën së bashku me nënën e tij. Për rrethana ende të paqarta, fëmija është shkëputur për një moment nga dora e nënës dhe është goditur nga një makinë që po qarkullonte në segmentin rrugor.
Drejtuesi i automjetit, një 61-vjeçar i identifikuar me inicialet P. B., është shoqëruar në komisariat për veprime të mëtejshme procedurale, ndërsa grupi hetimor ndodhet në vendngjarje për të sqaruar rrethanat e aksidentit dhe përgjegjësitë e mundshme.
Burime mediatike raportojnë se drejtuesi i automjetit është regjisori Petri Bozo, ndërsa policia nuk ka dhënë ende detaje shtesë mbi identitetin e tij, duke theksuar se hetimet janë në vijim.
Ngjarja vjen vetëm disa javë pas një tjetër aksidenti fatal ku humbën jetën dy të mitur, duke rikthyer shqetësimin për sigurinë rrugore në zonë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


