Rreth 4 milionë mungesa janë evidentuar në shkollat fillore dhe të mesme të Prishtinës, vetëm gjatë gjysmëvjetorit të parë.
Kjo shifër ka ngritur shqetësime serioze në komunën e kryeqytetit, ndërsa 1 milion prej tyre janë evidentuar si të paarsyeshme, transmeton Klankosova.tv.
Drejtori i shkollës së mesme të mjekësisë “Ali Sokoli”, Flamur Bujupi e cilësoi shumë shqetësuese këtë fenomen, i cili thekson se fëmijët duhet të jenë në banka shkollore.
“Ne si shkolla e kemi për obligim, që të lidhim raportin me prindërit. Por shpeshherë hasim në vështirësi, që shpesh duhet të bëjmë monitorimin. Unë si drejtor, pa i llogaritur mësimdhënësit që janë pothuajse 6-7 herë brenda ditës të atakuar nga situatat me prindërit që bëjnë arsyetime të pabaza, e ndonjëherë duhet të marrim masa që janë ngarkesë për punën e përditshme”, u shpreh Bujupi në emisionin “Ora Shtatë”.
Gazetarja e Klan Kosovës, Dafina Jegeni-Krasniqi thekson se një dukuri tjetër shqetësuese është mungesa e prindërve në mbledhjet e shkollave.
“Të mungosh në disa mbledhje mua nuk më duket e arsyeshme, as si prind, as si qytetare, as si gazetare”, tha ajo në Klan Kosova.
Ndërsa sipas gazetarit Agon Rexhepi, zinxhiri i funksionimit të institucioneve prindër-fëmijë-mësimdhënës po çalon.
“Nuk është problem sot për një nxënës për mos me shku në shkollë, për çka mendoj që shkolla i ka fajet, por mendoj që problem se si ata të arsyetojnë mungesën. Pse mendoj unë që shkolla i ka fajet, e them sepse kemi dështuar si shoqëri, jam duke përfshirë këtu secilin akterë, pasi shkollën duhet ta bëjnë interesant për këta fëmijë”, u shpreh Rexhepi.


