Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se do të udhëtonte në Miami nëse homologu i tij rus, Vladimir Putin, do të merrte pjesë në samitin e liderëve të Grupit të 20-ës (G20), i planifikuar për muajin dhjetor.
Sipas DW, Zelensky iu përgjigj me entuziazëm pyetjes nëse do të merrte pjesë në samit në rast se aty do të ishte edhe Putin.
“Po, sigurisht. Duhet të shkojmë. Duhet të takohemi, të flasim dhe të marrim vendime”, citohet të ketë thënë Zelensky.
Ai theksoi se më e rëndësishme se fjalët që do t’i shkëmbenin me Putinin do të ishin rezultatet e një takimi të mundshëm.
“Nuk bëhet fjalë për fjalë. Ajo që do t’i them unë apo ajo që ai dëshiron të më thotë mua, nuk ka rëndësi. Kanë rëndësi rezultatet”, tha presidenti ukrainas.
Zelensky dhe Putin nuk janë takuar personalisht që nga nisja e pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022.
Deri më tani, Kremlini nuk ka konfirmuar nëse Putin do të marrë pjesë në samitin e G20-ës në Miami. Lideri rus nuk ka marrë pjesë personalisht në një samit të G20-ës që nga viti 2019.
Gjatë deklaratës së tij, Zelensky foli edhe për marrëveshjet e nënshkruara të enjten me kryeministrin kanadez, Mark Carney, përfshirë një deklaratë partneriteti 100-vjeçar.
Sipas Zelenskyt, marrëveshja përfshin fusha të ndryshme, nga siguria dhe financimi te energjia, politika për veteranët, kultura dhe çështjet humanitare.
Ai bëri të ditur gjithashtu se Ukraina dhe Kanadaja kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për prodhimin e dronëve, ku përfshihen disa kompani ukrainase.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


