Pak ditë pasi një person humbi jetën në një aksident trafiku në autoudhën R7 “Ibrahim Rugova”, e vetëm disa muaj pas një tjetër aksidenti tragjik ku mbetën të vdekura dy gra, Ministria e Infrastrukturës ka finalizuar një tender shumë milionësh për sanimin e pjerrësive të dheut në segmentin Morinë–Gjurgjicë.
Në të dy rastet tragjike janë ngritur dyshime se në aksidente mund të kenë ndikuar pengesat e dheut dhe gurëve në rrugë, ndonëse autoritetet nuk kanë dhënë ende një konstatim zyrtar përfundimtar mbi shkaqet.
Më 15 qershor, Ministria e Infrastrukturës njoftoi se ka dhënë kontratën për sanimin e skarpatëve në autoudhën R7 “Ibrahim Rugova”, në segmentin Morinë-Gjurgjicë, me vlerë totale prej mbi 4.6 milionë eurosh.
Tenderi, i ndarë në tri lote, kishte vlerë të parashikuar prej 5.95 milionë euro, ndërsa kontratat janë nënshkruar dje më 15 qershor.
Lotin 1, që përfshin sanimin e rrëshqitjeve në kilometrin 72.4, e ka fituar konsorciumi “Arbotec SH.P.K.” dhe “Benita Company”, me kontratë në vlerë prej 2 milionë e 87 mijë euro. Për këtë lot janë pranuar gjithsej 17 tenderë.
Lotin 2, për rrëshqitjet në kilometrat 69.1 dhe 63.4, e ka fituar grupi i operatorëve ekonomik “ERST BAU” SH.P.K. dhe “EUROFAMIS” SH.A., me vlerë kontrate prej 1 milionë e 187 mijë euro. Edhe për këtë pjesë janë pranuar 17 oferta.
Loti 3, që ka të bëjë me sanimin e rrëshqitjeve në kilometrin 44, i është dhënë kompanisë “ILEAA – GR SH.P.K.”, me vlerë prej 1 milionë e 398 mijë euro.
Por, si nisi procesi?
Më 18 dhjetor 2025, Ministria e Infrastrukturës, e cila në atë kohë udhëhiqej nga zëvendësministri në detyrë, Hysen Durmishi, kishte hapur tenderin me procedurë të hapur me titull: “Sanimi i pjerrësive (skarpatave) në autostradën R7 ‘Ibrahim Rugova’ Morinë–Gjurgjicë, Lot 1, Lot 2 dhe Lot 3”.
Bazuar në njoftimin për kontratë, Ministria kishte shkurtuar afatin për dorëzimin e ofertave, duke ua lënë operatorëve ekonomikë vetëm 18 ditë kalendarike në dispozicion. Sipas Ligjit për Prokurimin Publik, për tenderët e vlerës së madhe afati minimal për dorëzimin e ofertave duhet të jetë 40 ditë.
Ministria e kishte arsyetuar këtë shkurtim të afatit me nevojën urgjente për stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut në segmentin Morinë–Gjurgjicë, me arsyetimin se ndërhyrja e shpejtë ishte e domosdoshme për të garantuar qarkullim të lirë dhe të sigurt në autoudhën R7.
Pse u vonua nënshkrimi i kontratës për gati gjashtë muaj?
Megjithëse, Ministria kishte arsyetuar urgjencën e projektit me rrezikun nga rrëshqitjet e dheut dhe nevojën për siguri në qarkullim, procedura nuk vazhdoi me të njëjtin ritëm.
Pas hapjes së tenderit, Ministria iu drejtua operatorëve ekonomikë me kërkesë për vazhdimin e validitetit të ofertave dhe të sigurimit të tenderit, duke njoftuar se procedura nuk kishte përfunduar për shkak të mungesës së buxhetit.
Operatorëve iu kërkua që validitetin e ofertave ta vazhdonin për 60 ditë, ndërsa sigurimin e tenderit për 90 ditë, me paralajmërimin se në rast të mosfinalizimit të aktivitetit të prokurimit mund të kërkohej sërish zgjatja e tyre.
Më 10 prill, Ministria shpalli fituesit e tenderit. Për Lotin 1 u rekomandua konsorciumi “Arbotec SH.P.K.” dhe “Benita Company”, për Lotin 2 grupi “ERST BAU” SH.P.K. dhe “EUROFAMIS” SH.A., ndërsa për Lotin 3 kompania “ILEAA – GR SH.P.K.”.
Megjithatë, disa kompani pjesëmarrëse nuk u pajtuan me vendimin e Ministrisë dhe ushtruan kërkesë për rishqyrtim, e cila u refuzua nga Autoriteti Kontraktues.
Më pas, kompanitë iu drejtuan Organit Shqyrtues të Prokurimit, duke pretenduar se operatorët ekonomikë të rekomanduar nuk i përmbushnin kriteret e tenderit. Ankesa kishin parashtruar kompanitë “Pro&Co Group”, “Eurokod & Mirusha Company”, “Fer Petrol” dhe “Agro Invest 1”.
Para se Paneli Shqyrtues të merrte vendim, OSHP kishte autorizuar ekspertin shqyrtues për vlerësimin e pretendimeve ankimore. Në raportin e tij, eksperti kishte vlerësuar se një pjesë e pretendimeve të operatorit ekonomik “Agro Invest 1” janë pjesërisht të bazuara, megjithatë kishte rekomanduar që të mbetet në fuqi vendimi i Autoritetit Kontraktues.
Të njëjtin qëndrim e mbajti edhe Paneli Shqyrtues i OSHP-së më 12 qershor, i cili, duke iu referuar raportit të ekspertit dhe duke i dhënë atij besim të plotë, e aprovoi ankesën vetëm si pjesërisht të bazuar, por pa urdhëruar kthimin e lëndës në rivlerësim, duke lënë në fuqi vendimin e Ministrisë së Infrastrukturës për shpalljen e fituesve.
Tenderi i Ministrisë së Infrastrukturës ka të bëjë me sanimin dhe stabilizimin e pjerrësive të dheut përgjatë autoudhës R7, në segmentin Morinë–Gjurgjicë, pas evidentimit të rrëshqitjeve në disa pika të autoudhës. Projekti përfshin ndërhyrje në kilometrat 72.4, 69.1, 63.4 dhe 44, zona të konsideruara me rrezik për stabilitetin e terrenit dhe sigurinë e qarkullimit.
Punimet e parapara përfshijnë stabilizimin e rrëshqitjeve të dheut, sigurimin e skarpateve dhe ndërhyrje inxhinierike për parandalimin e dëmtimeve të mëtejshme të autoudhës, me synim eliminimin e rrezikut nga shembjet dhe garantimin e sigurisë për qarkullimin e automjeteve në një nga korridoret më të rëndësishme rrugore në vend.


