Zjarret e mëdha në lindje të shtetit të Uashingtonit në SHBA kanë detyruar rreth 60 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre, ndërsa qindra ndërtesa janë shkatërruar nga flakët.
Sipas Associated Press, zjarret në zonën e Spokane kanë djegur rreth 21 kilometra katrorë tokë, ndërsa në të gjithë shtetin e Uashingtonit sipërfaqja e prekur nga zjarret ka arritur në rreth 1 mijë kilometra katrorë.
Nga zjarret janë shkatërruar të paktën 600 shtëpi, biznese dhe objekte të tjera. Autoritetet kanë bërë të ditur se deri tani nuk raportohet për persona të lënduar apo të zhdukur, por disa vatra ende vazhdojnë të jenë aktive dhe jashtë kontrollit.
Pamjet nga zonat e prekura tregojnë ndërtesa të përfshira nga flakët dhe lagje të mbuluara nga tymi i dendur.
Zyrtarët kanë paralajmëruar se kushtet e thata atmosferike mund ta përkeqësojnë situatën, ndërsa hetimet për shkaqet e zjarreve janë duke vazhduar.
Përveç Uashingtonit, edhe disa shtete të tjera në perëndim të SHBA-së, përfshirë Idahon, Oregonin dhe Utahun, po përballen me zjarre të mëdha që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


