Një armë zjarri me leje valide është raportuar e vjedhur në fshatin Ballancë të Vitisë, pasi persona ende të panjohur dyshohet se kanë hyrë në një shtëpi dhe kanë marrë tërë kasafortën ku mbahej arma, mëson Sinjali nga burime të afërta me hetimin.
Rasti është raportuar mbrëmjen e 9 majit rreth orës 18:30 në Nënstacionin Policor në Pozheran.
Sipas informatave, ankuesi A.N (42-vjeçar) ka deklaruar se posedonte me leje valide një armë zjarri të prodhuesit “Tisas”, modeli “Zig 14”, kalibër 9 mm, bashkë me dy karikatorë dhe 12 fishekë.
Burimet bëjnë të ditur se arma mbahej e fshehur në një kasafortë brenda ormari në dhomën e gjumit në shtëpinë e tij në fshatin Ballancë.
Sipas deklarimit të tij, më 7 maj kishte udhëtuar për në Pejë te disa shokë, ndërsa shtëpinë e kishte lënë bosh dhe dera hyrëse nuk kishte qenë e mbyllur me çelës.
Kur u kthye dje rreth orës 12:00, ai vuri re se mungonte e gjithë kasaforta ku mbahej arma.
Pronari ka deklaruar se nuk dyshon në ndonjë person konkret.
Me urdhër të Prokurores kujdestare, rasti është iniciuar si: “Vjedhje e rëndë”, ndërsa hetimet janë duke vazhduar nga njësia hetimore në Viti.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


