Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka paralajmëruar se Rusia mund të ndërmarrë një sulm masiv ajror gjatë orëve në vijim, duke u bërë thirrje qytetarëve të respektojnë alarmet dhe të kërkojnë strehim në rast rreziku.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Zelensky tha se paralajmërimi bazohet në informacionet e marra nga komandanti i Forcave Ajrore të Ukrainës, sipas të cilit forcat ruse kanë qenë në përgatitje për një operacion të madh prej disa ditësh.
Presidenti ukrainas u bëri thirrje partnerëve ndërkombëtarë që të vazhdojnë mbështetjen ushtarake, duke theksuar se mbrojtja ajrore mbetet jetike për sigurinë e vendit.
Sipas tij, Ukraina ka nevojë për më shumë sisteme dhe raketa të mbrojtjes ajrore, veçanërisht nga shtetet aleate që disponojnë sisteme Patriot.
“Ju lutem, në të gjitha rajonet e Ukrainës, kushtojini vëmendje alarmeve të sulmeve ajrore dhe qëndroni të sigurt”, ka apeluar Zelensky.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur luftimet mes Ukrainës dhe Rusisë vazhdojnë me intensitet, ndërsa të dyja palët kanë raportuar sulme ndaj objektivave strategjike në ditët e fundit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


