KRU “Gjakova” ka njoftuar se ekipet e saj gjatë punimeve në rrjetin e kanalizimit në Gjakovë dhe Rahovec kanë hasur në puse të bllokuara nga mbetje të ndryshme.
Sipas kompanisë, ekipet kanë punuar për orë të tëra për zhbllokimin e pusetave. Në një pusetë në Rahovec është gjetur dhe nxjerrë një pjesë e bordurës së rrugës, e cila kishte bllokuar rrjetin e kanalizimit.
Ndërkaq, në Gjakovë, nga një pusetë janë nxjerrë sasi të mëdha zalli, gurësh, çimentoje, mbetjesh plastike, si dhe pirunë.
KRU “Gjakova” u ka bërë thirrje operatorëve dhe kompanive që merren me asfaltimin dhe ndërtimin e rrugëve që të mos hedhin zhavor, gurë apo mbetje të tjera në rrjetin e kanalizimit.
“Veprime të tilla vështirësojnë punën e ekipeve dhe mund të shkaktojnë dëmtime serioze të rrjetit të kanalizimit”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
KRU “Gjakova” ka apeluar edhe te qytetarët që të kontribuojnë në mbrojtjen e rrjetit të kanalizimit dhe të raportojnë rastet kur ai keqpërdoret.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


