Protestat masive të nxënësve të shkollave të mesme janë përshkallëzuar në Francë, duke u përhapur në të gjithë vendin.
Lëvizja, e cila nisi javën e kaluar në rajonin e Parisit, ka përfshirë kryesisht maturantë, të cilët kanë bllokuar hyrjet e institucioneve arsimore dhe janë përleshur me policinë, duke kërkuar kushte më të mira në shkolla.
Mes shqetësimeve të tyre janë oraret e zgjatura të mësimit, mbipopullimi në klasa, mungesa e mësuesve, si dhe kushtet e papërshtatshme të ventilimit, vështirësi që u hasën kryesisht gjatë verës për shkak të temperaturave të larta.
Qeveria franceze ka deklaruar se ankesat e nxënësve janë të ligjshme, por ka theksuar se dhuna është e papranueshme.
Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, tha se lëvizja e nxënësve të shkollave të mesme po mbahet peng nga grupe ekstremiste ultra të dhunshme, duke shtuar se gati 400 shkolla të mesme nga 3,700 në vend janë mbyllur këtë të premte.
Shumë shkolla të mesme kanë planifikuar gjithashtu të zhvillojnë mësim nga distanca, veçanërisht në qytetin jugor të Marsejës.
“Të paktën 65 anëtarë të stafit janë plagosur, përfshirë 40 drejtorë shkollash të mesme, që nga fillimi i lëvizjes”- konfimoi ministri i Arsimit. “Prindërit duhet t’u thonë fëmijëve të tyre të mos bëhen pjesë e protestave. Ajo që ka rëndësi tani është të sigurohemi që fëmijët tanë të mos jenë më në rrugë, sepse ata janë në rrezik.”- theksoi ai.
Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, tha se u ka kërkuar prokurorëve që t’i ngarkojnë me përgjegjësi prindërit për dëmet e shkaktuara nga fëmijët e tyre gjatë protestave, duke paguar edhe për riparimet e tyre.
“Që nga fillimi i lëvizjes, rreth 2 mijë persona janë arrestuar nga policia, 90 përqind e të cilëve janë të mitur”- deklaroi Darmanin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


