Donald Trump Jr., djali i presidentit amerikan, ka zhvilluar një intervistë me presidentin e Serbisë, Alleksandar Vuçiq.
Në mesin e temave, sigurisht se vend zuri edhe çështja e Kosovës, për çka Vuçiqi tha se “zgjidhja” mes dy vendeve duhet të jetë një lloj kompromisi.
“Të gjithë ose shumë duan të minojnë integritetin tonë territorial, kushtetutën tonë dhe gjithçka tjetër. Por e vërteta është se ne gjithmonë kemi dashur dhe kemi qenë të hapur për afrimin e një konsensusi apo marrëveshjeje mes nesh dhe Prishtinës. Por duhej të ishte, ose duhet të jetë, një lloj zgjidhje kompromisi. Nuk mund të jetë e njëanshme”, thotë Vuçiqi në këtë intervistë.
Presidenti serb foli edhe për bombardimet e NATO-s në Serbi në vitin 1999, teksa tha se intervenimi u bë “në shkelje të së drejtës ndërkombëtare”.
Veç tjerash, Vuçiqi i tha Trumpit të Ri se serbët, deri në ardhjen në skenën politike të Trumpit në ShBA, “nuk i besonin asnjë lideri tjetër politik nga Shtetet e Bashkuara”.
“Tani ka një ndryshim të madh dhe një përmbysje të madhe. Trumpi është bërë shumë popullor në Serbi. Ky (Serbia) ishte vendi ku Trumpi gëzonte popullaritetin më të madh në të gjithë Evropën, dhe me një diferencë të madhe”, thotë Vuçiqi.
The post Vuçiqi, Trumpit të Ri: Zgjidhja me Kosovën duhet të jetë një lloj kompromisi appeared first on Klan Kosova.


