Aleksandar Vuçiq ka dhënë dorëheqje nga posti i presidentit të Serbisë, duke e përmbyllur kështu mandatin e tij në krye të shtetit.
Dorëheqjen, siç e kishte paralajmëruar më herët, ai e dha më 27 shtator. Vuçiq më pas iu drejtua qytetarëve të mbledhur para ndërtesës së Sekretariatit të Përgjithshëm të Presidentit të Republikës.
Ai tha se kjo ishte hera e fundit që po paraqitej në atë ndërtesë në cilësinë e presidentit.
“Jam krenar që isha president falë votave dhe mbështetjes suaj”, tha Vuçiq.
Ai deklaroi se gjatë dy mandateve presidenciale i ka shërbyer, sipas tij, Serbisë dhe qytetarëve të saj me nder dhe ndershmëri.
“E di se na presin edhe shumë fitore dhe se Serbia do të jetë edhe më e fortë”, tha ai.
Vuçiq u shpreh gjithashtu krenar për atë që, sipas tij, është arritur gjatë viteve të tij në pushtet dhe për ndryshimet që ka pësuar Serbia.
Në fund, ai falënderoi qytetarët për mbështetjen dhe tha se nga dita e nesërme do të jetë edhe formalisht “njëri prej jush”.
“Le të fitojë Serbia! Faleminderit për gjithë dashurinë dhe mbështetjen! Rroftë Serbia!”, përfundoi Vuçiq.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


