Fidan Abazi nga Shërbimi për Kërkim-Shpëtim sonte në një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova është shprehur se ende nuk është lokalizuar gruaja që është raportuar e zhdukur në Deçan.
Ai tha se kërkimet po vazhdojnë nëpër disa zona, derisa bëri të ditur se gruaja është e moshës së mesme.
“Nuk kemi mundur ende ta lokalizojmë personin që është shpallur në kërkim. Për momentin kërkimet janë duke u bërë në disa zona. Këtu jemi në Llukë të Deçanit dhe po kontrollojmë afër bregut të Lumbardhit të Deçanit dhe disa grupe të tjera janë duke zhvilluar aktivitetin e kërkimit në disa zona të tjera. Gruaja është e moshës së mesme”, tha ai.
Abazi njoftoi gjithashtu se kjo nuk është hera e parë që e njëjta është larguar nga shtëpia.
“Personi që është shpallur në kërkim, nuk është hera e parë që ka dalur nga shtëpia dhe nuk është hera e parë që është paraqitur si e zhdukur. Herave të tjerave është lokalizuar shëndosh e mirë, po shpresojmë që edhe sot do të gjendet shëndosh e mirë. Çka dimë ne për momentin është se vuan nga depresioni i një shkalle” , u shpreh ai./Klankosova.tv


