Kanë mbetur edhe dhjetë ditë deri në një prej momenteve më të rëndësishme të procesit gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.
Më 16 shtator, në ora 10:00, pritet të bëhet publik aktgjykimi ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
Pas një procesi gjyqësor që ka zgjatur për disa vite, trupi gjykues pritet të japë verdiktin për katër ish-drejtuesit e UÇK-së.
Procesi gjyqësor ndaj tyre nisi në vitin 2023 dhe gjatë këtyre viteve janë shqyrtuar një numër i madh provash dhe dëshmish. Për shkak të kompleksitetit të rastit dhe materialit të gjerë të administruar gjatë gjykimit, shpallja e aktgjykimit ishte shtyrë nga afati i paraparë fillimisht.
Në Kosovë, ndërkohë, ka nisur numërimi mbrapsht deri në ditën e shpalljes së verdiktit. Nisma e pagëzuar “Ora e Pritjes” po shërben si simbol i pritjes së aktgjykimit për ish-krerët e UÇK-së.
Në kuadër të aktiviteteve në mbështetje të tyre, më 12 shtator, në Prishtinë, është paralajmëruar edhe një marsh përkrahës, për të cilin tashmë kanë bërë thirrje për pjesëmarrje edhe figura politike dhe personalitete të njohura publike.
Kështu, ditët në vijim pritet të shoqërohen me vëmendje të shtuar në Kosovë, deri më 16 shtator, kur në Hagë pritet të lexohet aktgjykimi ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


