Kreu i MeRA25 dhe ish-ministri grek i Financave, Yanis Varoufakis, gjatë një interviste në “Debat Plus”, ka vlerësuar pozitivisht zhvillimet e fundit lidhur me perceptimin e Kosovës në Greqi.
Sipas tij, gjatë dy-tre viteve të fundit, imazhi i Kosovës në opinionin grek është përmirësuar ndjeshëm.
Varoufakis theksoi se në këtë ndryshim ka ndikuar edhe pozicioni i Kosovës në raport me tensionet mes Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.
Ai e cilësoi këtë përplasje si të dëmshme për rajonin, duke shtuar se konflikte të tilla e kanë kthyer zhvillimin pas për dekada.
“Është e rëndësishme të largohemi nga konfliktet e pakuptimta,” u shpreh ai, duke nënvizuar nevojën për më shumë bashkëpunim në rajon, transmeton Klankosova.tv.
Sipas tij, një nga arsyet kryesore pse Greqia ende nuk e ka njohur Kosovën është ndikimi i nacionalizmit në politikën e brendshme. Ai shpjegoi se ekziston një perceptim në Greqi se njohja e Kosovës do të krijonte precedent për legjitimimin e Qipros Veriore, e cila njihet vetëm nga Turqia. Megjithatë, Varoufakis e konsideron këtë qasje të gabuar dhe të tejkaluar.
Duke folur për zhvillimet ekonomike, ai vlerësoi se që nga viti 2005, Kosova ka bërë progres në politikat financiare.
Yanis Varoufakis njihet si një nga ekonomistët më me ndikim grekë, me një karrierë të gjerë akademike dhe politike. Ai ka studiuar në Universitetin e Essex dhe ka dhënë mësim në universitete prestigjioze ndërkombëtare. Në vitin 2015, pas fitores së SYRIZA-s, ai u emërua ministër i Financave në Greqi, por dha dorëheqjen pas disa muajsh për shkak të mospajtimeve me politikat ekonomike të imponuara nga institucionet ndërkombëtare.
Gjatë karrierës së tij, Varoufakis ka qenë një kritik i zëshëm i masave shtrënguese dhe ka kontribuar në debatet mbi krizën ekonomike në Evropë dhe më gjerë.


