Saturday, April 25, 2026
spot_img
HomeLajmeUshtari amerikan akuzohet pasi fitoi 400,000 dollarë duke vënë bast për rrëzimin...

Ushtari amerikan akuzohet pasi fitoi 400,000 dollarë duke vënë bast për rrëzimin e Maduros

Një ushtar i forcave speciale të SHBA-së, i përfshirë në operacionin ushtarak për kapjen e Nicolas Maduro, është arrestuar pasi dyshohet se ka bastuar mbi rrëzimin e ish-liderit të Venezuelës para se informacioni të bëhej publik.

Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së (DOJ) ka ngritur akuza ndaj Gannon Ken Van Dyke, pasi ai dyshohet se ka bërë baste në platformën Polymarket, e cila funksionon me kriptovaluta, duke përdorur informacione të klasifikuara.

“Ky është qartë tregtim i brendshëm dhe është i paligjshëm sipas ligjit federal”, kanë deklaruar zyrtarët e Departamentit të Drejtësisë.

Van Dyke, një ushtar aktiv në Ushtrinë Amerikane i vendosur në Fort Bragg në Karolinën e Veriut, ka fituar mbi 409 mijë dollarë si rezultat i basteve të tij, raporton BBC, transmeton Sinjali.

Forcat amerikane e kapën Maduron dhe bashkëshorten e tij, Cilia Flores, nga kompleksi i tyre në Caracas gjatë një bastisjeje dramatike natën e 3 janarit, duke i dërguar më pas në New York për t’u përballur me akuza për armë dhe drogë, të cilat ata i mohojnë.

Sipas Departamentit të Drejtësisë, Van Dyke dyshohet se ka vendosur baste mbi kohën dhe rezultatin e operacionit, të njohur si “Operation Absolute Resolve”, “vetëm për të përfituar financiarisht”.

DOJ pretendon se më 26 dhjetor 2025, Van Dyke krijoi një llogari në Polymarket dhe filloi të tregtonte në tregje që lidhen me Maduron dhe Venezuelën. Ai akuzohet se ka vendosur baste mbi 33 mijë dollarë duke qenë në posedim të informacionit të klasifikuar dhe jo publik për operacionin.

Në një deklaratë në rrjetet sociale, Polymarket tha: “Kur identifikuam një përdorues që tregtonte mbi bazën e informacionit të klasifikuar qeveritar, e referuam rastin te DOJ dhe bashkëpunuam me hetimin”.

Kompania shtoi: “Tregtimi i brendshëm nuk ka vend në Polymarket. Arrestimi i sotëm dëshmon se sistemi funksionon”.

Van Dyke është akuzuar për përdorim të paligjshëm të informacionit konfidencial qeveritar për përfitim personal, vjedhje të informacionit jo publik, mashtrim financiar dhe transaksione të paligjshme monetare.

“Ushtarët tanë u besohet informacion i klasifikuar për të kryer misionet e tyre në mënyrë të sigurt dhe efektive, dhe u ndalohet ta përdorin këtë informacion shumë të ndjeshëm për përfitime financiare personale”, ka thënë ushtruesi i detyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të SHBA-së, Todd Blanche.

Ai shtoi se tregjet e parashikimit janë një fenomen relativisht i ri, por ligjet federale për mbrojtjen e informacionit të sigurisë kombëtare vlejnë plotësisht edhe për to.

Prokurori federal Jay Clayton për Distriktin Jugor të New Yorkut theksoi se këto platforma “nuk janë strehë për përdorimin e informacionit të klasifikuar për përfitime personale”.

Zyrtarët e drejtësisë shtuan se si ushtar, Van Dyke kishte nënshkruar marrëveshje konfidencialiteti, ku ishte zotuar se nuk do të zbulonte asnjë informacion të klasifikuar lidhur me operacionet ushtarake.

Prokurorët federalë pretendojnë se nga 8 dhjetori 2025 deri të paktën më 6 janar 2026, ai ishte i përfshirë në planifikimin dhe zbatimin e operacionit dhe kishte qasje në informacione të ndjeshme dhe të klasifikuara.

Komisioni për Tregtinë e Kontratave të së Ardhmes (CFTC) ka ngritur gjithashtu padi ndaj tij për tregtim të brendshëm.

I pyetur për rastin, presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se nuk kishte dëgjuar më parë për të, por do ta shqyrtojë.

Ai shtoi se nuk është i kënaqur me këto praktika, duke deklaruar: “E gjithë bota, për fat të keq, është bërë disi si një kazino… nuk kam qenë kurrë shumë pro kësaj.”

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT