Partia Demokratike e Kosovës pritet t’i drejtohet edhe sot Gjykatës Kushtetuese, këtë herë për të kërkuar vlerësimin e vendimit për formimin e Qeverisë së re.
Deputetët Përparim Gruda dhe Arian Tahiri do të dorëzojnë kërkesën në Kushtetuese, ndërsa pas dorëzimit të saj kanë paralajmëruar edhe një konferencë për media, e cila pritet të nisë në ora 09:00.
Në PDK kanë ngritur pretendime për shkelje kushtetuese gjatë procesit të konstituimit të Kuvendit dhe procedurave të zhvilluara më pas. Sipas tyre, këto çështje duhet të shqyrtohen nga Gjykata Kushtetuese, përfshirë edhe ligjshmërinë e vendimit për zgjedhjen e Qeverisë.
Kjo është kërkesa e dytë e PDK-së brenda dy ditësh. Një ditë më parë, kjo parti kishte kërkuar ndërhyrjen e Kushtetueses lidhur me mënyrën e konstituimit të Legjislaturës së 11-të, pas zgjedhjes së kryetares dhe katër nënkryetarëve të Kuvendit, proces që i hapi rrugë edhe votimit të Qeverisë Kurti 4.
Partia më e madhe opozitare pretendon se kryeministri Albin Kurti dhe Lëvizja Vetëvendosje kanë tejkaluar me qëllim afatet e përcaktuara me Kushtetutë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


