Ukraina ka përfunduar me sukses testimet e bombës së saj të parë të drejtuar, të zhvilluar brenda vendit, e cila tashmë është gati për përdorim luftarak.
Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes së Ukrainës, Mykhailo Fedorov, i cili tha se projekti është realizuar me mbështetjen e qendrës teknologjike qeveritare Brave1 dhe ka zgjatur rreth 17 muaj zhvillim.
Sipas tij, bomba e re ajrore e drejtuar është një zhvillim origjinal i inxhinierëve ukrainas dhe është projektuar për të goditur me saktësi objektiva ushtarake në distanca të gjata, përfshirë fortifikime dhe qendra komanduese.
Autoritetet ukrainase bëjnë të ditur se koka luftarake e bombës peshon rreth 250 kilogramë dhe se tashmë është porositur grupi i parë eksperimental për përdorim.
Në një video të publikuar nga ministri shfaqet edhe fluturimi provë i armës, e cila mund të korrigjojë trajektoren gjatë fluturimit duke përdorur sisteme të avancuara si GPS dhe teknologji të tjera udhëzuese.
Zyrtarët thonë se ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm në forcimin e industrisë ushtarake vendore dhe kapaciteteve teknologjike të Ukrainës në fushëbetejë.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


