Ukraina thotë se ka goditur pesë anije që transportonin ngarkesa ilegale në Detin e Azovit dhe në ujërat bregdetare të territoreve të pushtuara nga Rusia.
Komandanti i forcave ukrainase të dronëve tha se anijet ishin të përfshira në “vjedhjen” e grurit ukrainas, si dhe në transport të ngarkesave ushtarake dhe karburantit.
Sulmet vijnë një ditë pasi presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ofroi bisedime ballë për ballë me Vladimir Putinin për t’i dhënë fund luftës, një ofertë që lideri rus e refuzoi gjatë qëndrimit në Shën Petersburg për një forum ekonomik.
Ndërkohë, Ukraina ka konfirmuar se një nga dronët e saj detarë ka shpërthyer pranë brigjeve të Rumanisë të premten. Nuk raportohet për të lënduar nga shpërthimi.
Zelensky, në kuadër të ofertës së tij për bisedime paqeje, ka shkruar se rusët janë lodhur nga sulmet me dronë dhe raketa, mungesa e karburantit dhe rritja e çmimeve që ka sjellë lufta, e cila tashmë është në vitin e pestë, raporton BBC.
Ukraina ka goditur në mënyrë të përsëritur infrastrukturën ushtarake dhe energjetike brenda Rusisë, në përpjekje për të kufizuar kapacitetet e saj luftarake.
Paraqitja e Putinit në Shën Petersburg vjen një ditë pas një sulmi me dronë që Kievi kishte ndërmarrë në periferi të qytetit.
Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka konfirmuar se pesë qytetarë të saj janë vrarë në sulmet ndaj dy anijeve në Detin e Azovit. Nuk është specifikuar kush i ka kryer sulmet dhe është theksuar se anijet nuk i përkisnin Azerbajxhanit.
Më herët, komandanti i dronëve ukrainas, Robert Brovdi, tha se pesë “anije ilegale në lëvizje” janë goditur gjatë natës në portet e Mariupolit, Berdyansk dhe në ujërat bregdetare të territoreve që Ukraina i konsideron të pushtuara përkohësisht.
Ai tha se emrat e pesë anijeve, përfshirë anije mallrash dhe cisterna, ishin mbuluar dhe radarët e tyre ishin fikur “me qëllim vjedhjen e qetë të grurit ukrainas”, si dhe për “transport të ngarkesave ushtarake dhe karburantit”. Ministria e Jashtme e Azerbajxhanit ka përmendur dy nga anijet si Nastra dhe Circon.
Brovdi nuk ka përmendur viktima. Në Ukrainë, të paktën 13 persona janë vrarë dhe mbi 70 janë plagosur gjatë 24 orëve të fundit, sipas autoriteteve lokale.
Mes tyre janë katër persona që humbën jetën pasi dronë rusë goditën një fabrikë qumështi jashtë Kievit, si dhe një grua 35-vjeçare në një sulm në një pikë karburanti në Kherson.
Ndërkohë, një dron detar shpërtheu në portin rumun të Detit të Zi, në Constanța.
Ministria e Mbrojtjes e Rumanisë tha se droni ka shpërthyer pranë një terminali nafte pa shkaktuar viktima, megjithëse autoritetet thanë se janë shkaktuar dëme të konsiderueshme në një anije dhe depo.
Zyrtari i lartë i Constanțës, Adrian Teodor Picoiu, tha për G4Media se informacionet nga pala ukrainase tregonin se droni ishte pjesë e një grupi prej pesë dronësh, ku një tjetër ka shpërthyer në Ukrainë.
Ukraina më vonë konfirmoi se një nga dronët e saj detarë ishte përfshirë në incident, duke thënë se kishte devijuar nga rruga për shkak të ndërhyrjeve elektronike ruse. Moska nuk ka komentuar ende.
Tre dronët e tjerë mbeten të pagjetur, por autoritetet thonë se nuk ka rrezik të mëtejshëm. Nuk është dhënë ende një arsye pse dronët ndodheshin në ujërat rumune.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


