Shtatë qytetarë kanë shpëtuar pa lëndime pasi mbetën të bllokuar në rrjedhën e lumit Drini i Zi, në zonën e njohur si “Ura e Gjoricës” në Bulqizë, si pasojë e rritjes së menjëhershme të nivelit të ujit.
Sipas Policisë, alarmi u dha nga një prej personave të bllokuar, i cili kërkoi ndihmë pasi ai dhe gjashtë familjarët e tij nuk mund të dilnin nga rrjedha e lumit.
Menjëherë pas njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë mbërritën në vendngjarje dhe, në bashkëpunim me Emergjencat Civile të Prefekturës Dibër dhe ekipin e shërbimit zjarrfikës, organizuan operacionin e shpëtimit.
Gjatë ndërhyrjes, të shtatë qytetarët u nxorën në mënyrë të sigurt nga rrjedha e ujit me gomone. Fatmirësisht, ata janë në gjendje të mirë shëndetësore, shkruan Abcnews.al.
Policia e Dibrës apelon ndaj qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal gjatë qëndrimit pranë lumenjve dhe zonave ujore, veçanërisht në rastet e ndryshimeve të menjëhershme të nivelit të ujit, si dhe të njoftojnë menjëherë Policinë në numrin pa pagesë 112 për çdo situatë emergjente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


