Saturday, September 26, 2026
spot_img
HomeLajmeTubimi me shqiptarë në Nju Jork, Rama përsëri përmend Thaçin: Ishim bashkë...

Tubimi me shqiptarë në Nju Jork, Rama përsëri përmend Thaçin: Ishim bashkë këtu, një dekadë pas kanë ndodhur shumë gjëra

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i cili prej disa ditësh ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ka zhvilluar takime me përfaqësues të komunitetit shqiptar në SHBA.

Gjatë një tubimi me shqiptarët në Nju Jork, Rama kujtoi një darkë të zhvilluar në vitin 2015 në Staten Island, ku kishte qenë së bashku me ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Rama tha se në atë kohë kishin diskutuar për organizimin e Samitit të Parë të Diasporës në Tiranë, ndërsa theksoi se një dekadë më vonë “kanë ndodhur shumë gjëra”.

“Jemi këtu për të ndarë disa gjëra që kanë ndodhur në të shkuarën. Këtu në Staten Island në 2015-ën unë isha në një darkë së bashku me Hashim Thaçin dhe këtu diskutuam për Samitin e Parë të Diasporës në Tiranë. Një dekadë pas samitit kanë ndodhur shumë gjëra”, tha Rama.

Ai foli edhe për ndryshimin e raportit mes Shqipërisë dhe diasporës, duke thënë se tashmë marrëdhënia nuk është më vetëm në kuadër të dërgesave financiare drejt familjeve në Shqipëri, por është shndërruar në një partneritet që përfshin investime dhe rikthimin e shqiptarëve në vend.

Rama deklaroi se institucionet shqiptare po punojnë për krijimin e një regjistri kombëtar të diasporës, përmes të cilit synohet krijimi i një ure më të drejtpërdrejtë me shqiptarët që duan të investojnë në Shqipëri.

Gjatë fjalimit, Rama foli edhe për protestat dhe incidentin me vezë ndaj tij në Nju Jork, duke e lidhur atë me faktin se zhvillimet në Shqipëri, sipas tij, reflektohen edhe në komunitetin shqiptar jashtë vendit.

“Falë kësaj ndërlidhjeje mes Shqipërisë dhe diasporës, u ndodha fiks si në Shqipëri, me protesta dhe me plot shqiptarë”, tha Rama.

Ai e përmbylli fjalimin duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe diasporës për zhvillimin e vendit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT