Saturday, September 19, 2026
spot_img
HomeLajmeTrumpi akuzon tri media se “krypin me rrena”, ua ndalon hyrjen në...

Trumpi akuzon tri media se “krypin me rrena”, ua ndalon hyrjen në Shtëpinë e Bardhë

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se CNN, MS NOW dhe Politico nuk do të lejohen më në Shtëpinë e Bardhë.

Trumpi e bëri të ditur vendimin përmes një postimi në Truth Social.

Ai i akuzoi tri mediat se publikojnë dhe raportojnë atë që ai i cilësoi si “fiksione dhe gënjeshtra” për administratën e tij.

Megjithatë, presidenti amerikan nuk përmendi raste konkrete që, sipas tij, e kanë çuar në këtë vendim.

Më vonë, Trumpi e përshkroi masën si një “ndalim shumë të thjeshtë”. Ai nuk dha detaje se si do të zbatohet ajo.

Pavarësisht njoftimit, gazetarët e CNN dhe Politico vazhduan të qëndrojnë në ambientet e Shtëpisë së Bardhë.

CNN e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar si sulm ndaj lirisë së shtypit. Rrjeti tha se do ta mbështesë ekipin e tij në Shtëpinë e Bardhë.

Edhe Politico tha se do të vazhdojë të raportojë për administratën Trump dhe do t’i mbrojë të drejtat e gazetarëve të garantuara me Amendamentin e Parë.

MS NOW, që më herët njihej si MSNBC, nuk komentoi menjëherë.

Reagim pati edhe nga Shoqata e Korrespondentëve të Shtëpisë së Bardhë.

Presidentja e saj, Jacqui Heinrich, tha se organizata qëndron në mbrojtje të gazetarëve që, sipas saj, po veçohen për punën e tyre.

Ajo theksoi se çështja prek edhe të drejtën e publikut amerikan për të marrë informacion të plotë dhe të pavarur për punën dhe vendimet e presidentit.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT