Saturday, September 19, 2026
spot_img
HomeLajmeIpeshkvi Gjergji pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Kërkojmë drejtësi pa hakmarrje

Ipeshkvi Gjergji pas vendimit ndaj ish-krerëve të UÇK-së: Kërkojmë drejtësi pa hakmarrje

Ipeshkvi i Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, ka reaguar pas vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke bërë thirrje për maturi, bashkim dhe ndjekjen e rrugëve juridike e institucionale.

Në një deklaratë me shkrim për media, Gjergji ka thënë se vendimi ka shkaktuar hidhërim të thellë dhe ka rikthyer ndjenjën e, siç e përshkroi ai, padrejtësive historike.

“Vendimi i Dhomave të Specializuara na kujton edhe njëherë se ‘kalvari’ i padrejtësive historike vazhdon. E ne s’na mbetet gjë tjetër veçse të bashkohemi për ta bindur drejtësinë që të jetë e drejtë ndaj nesh”, deklaroi Gjergji.

Ipeshkvi u ka bërë thirrje qytetarëve që dhimbja të mos e errësojë arsyen dhe zemërimi të mos e zbehë urtinë, duke theksuar se çdo reagim duhet të jetë i matur, paqësor dhe i përgjegjshëm. Sipas tij, kundërshtimi i vendimit duhet të bëhet përmes rrugëve juridike dhe institucionale.

“Zemërimi i një populli është i kuptueshëm vetëm atëherë kur shndërrohet në forcë për të kërkuar të vërtetën dhe drejtësinë”, theksoi ai.

Gjergji ka kërkuar nga institucionet dhe klasa politike e Kosovës që të tregojnë përgjegjësi dhe bashkërendim, duke theksuar se ndasitë duhet të lihen mënjanë kur preken liria, dinjiteti dhe kujtesa historike e popullit.

“Sot duhet të bashkohemi si komb: rreth të vërtetës, dinjitetit tonë dhe përgjegjësisë për të ardhmen. Ashtu që të ruhet pastërtia e përpjekjes së popullit tonë për liri, të forcojmë miqësitë me ata që na qëndruan pranë në ditët më të vështira dhe të rindërtojmë besimin e lënduar pas çlirimit”, deklaroi Gjergji.

Ai gjithashtu ka bërë thirrje që Kosova t’i ruajë miqësitë me vendet që i qëndruan pranë gjatë luftës dhe të punojë për rindërtimin e besimit të lënduar pas çlirimit.

Gjergji ka thënë se Kisha nuk mund të gjykojë njerëzit apo drejtësinë, por as të heshtë përballë situatës së krijuar.

“Detyra jonë është të kërkojmë të vërtetën pa urrejtje, drejtësinë pa hakmarrje dhe pajtimin pa harruar atë që është e drejtë”, u shpreh ai.

Në fund, Ipeshkvi i Kosovës ka thënë se Kosovës nuk i duhet më shumë zhurmë, por urtësi, bashkim, qëndrueshmëri dhe besim.

Më 16 shtator, Dhomat e Specializuara në Hagë dënuan në shkallën e parë ish-presidentin Hashim Thaçi me 25 vjet burgim, Jakup Krasniqin me 25 vjet, Kadri Veselin me 18 vjet dhe Rexhep Selimin me 13 vjet.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT