Edhe mediat ndërkombëtare i kanë kushtuar vëmendje protestës së mbajtur të enjten në Prishtinë kundër aktgjykimeve të Gjykatës Speciale ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Në mesin e mediave që raportuan për protestën ishte edhe agjencia amerikane e lajmeve Associated Press (AP), e cila e cilësoi tubimin si protestën më të madhe mbarëkombëtare që nga shpallja e aktgjykimeve.
“Mijëra protestues u mblodhën në Kosovë të enjten, në protestën më të madhe mbarëkombëtare”, raportoi AP.
Agjencia amerikane thekson se aktgjykimet ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi dhe ish-komandantëve të tjerë të UÇK-së kanë nxitur protesta të përditshme në Kosovë.
Sipas AP-së, në Kosovë aktgjykimet janë kritikuar nga qytetarë dhe politikanë si të padrejta, ndërsa është shprehur shqetësimi se ato mund të ndikojnë në mënyrën se si kujtohet lufta e Kosovës për pavarësi.
Protestuesit në Prishtinë mbushën sheshet qendrore të kryeqytetit, ndërsa në pankarta u shfaqën mesazhe në mbështetje të UÇK-së dhe kundër aktgjykimeve të Gjykatës Speciale.
AP raportoi gjithashtu se protestat kundër aktgjykimeve kanë vazhduar prej ditësh në qytete të ndryshme të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


