Friday, October 2, 2026
spot_img
HomeLajmeLEX | Vrasja e Premtim Gashit, eksperti i mjekësisë ligjore nis dëshminë...

LEX | Vrasja e Premtim Gashit, eksperti i mjekësisë ligjore nis dëshminë në rastin “Capat–Sekiraqët”

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë po vazhdon sot gjykimi në rastin e njohur si “Capat–Sekiraqët”, që lidhet me përplasjen e armatosur ku mbeti i vrarë Premtim Gashi dhe u plagosën pesë persona.

Në seancën e sotme ka nisur dëgjimi i ekspertit të mjekësisë ligjore, Valon Hyseni, raporton Gazeta Sinjali nga gjykatorja.

Rasti ndërlidhet me ngjarjen e 1 shtatorit 2024 në rrugën “Gazmend Zajmi”, në lagjen Aktash të Prishtinës, ku konflikti mes dy grupeve përfundoi me shkëmbim zjarri dhe pasoja fatale. Për këtë ngjarje, Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë ndaj nëntë personave më 12 shkurt 2026.

Në aktakuzë janë përfshirë Korab Gashi, Valdrin Ademi, Robert Llumnica, Salih Sekiraqa, Fatos Abazi, Endrit Llapashtica, Dardan Marevci, Erd Marevci dhe Vesel Bunjaku. Varësisht nga roli që u atribuohet, akuzat përfshijnë vrasjen e rëndë, vrasjen e rëndë në tentativë, armëmbajtjen pa leje dhe manipulimin me prova.

Sipas Prokurorisë, përplasja e shtatorit lidhet me një konflikt të mëhershëm, të ndodhur më 4 mars 2024 mes djalit të Salih Sekiraqës dhe Pajtim Gashit, vëllait të të ndjerit Premtim Gashi. Organi i akuzës pretendon se kjo ngjarje kishte përshkallëzuar konfliktin mes dy grupeve.

Siç kishte raportuar Sinjali, përveç Premtim Gashit që humbi jetën, nga të shtënat e 1 shtatorit u plagosën Salih Sekiraqa, Korab Gashi, Robert Llumnica, Fatos Abazi dhe Valdrin Ademi.

Ndërkohë, për dy të akuzuarit, Endrit Llapashtica dhe Dardan Marevci, ishte caktuar gjykimi në mungesë, pasi ata nuk ishin arritur nga organet e drejtësisë.

Në kuadër të këtij rasti, Gjykata Themelore në Prishtinë ka shqiptuar ndaj Vesel Bunjakut dënim prej shtatë muajsh burgim dhe 2 mijë eurosh gjobë.

Procesi gjyqësor ndaj të akuzuarve të tjerë po vazhdon me administrimin e provave dhe dëgjimin e dëshmive. Të akuzuarit prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të vërtetohet me vendim të formës së prerë.

LEX – Drejtësia nga Sinjali do ju sjell zhvillimet e fundit nga seanca.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT