Thursday, September 10, 2026
spot_img
HomeLajmeTransporti ende i pezulluar në disa linja të Fushë Kosovës, operatorët thonë...

Transporti ende i pezulluar në disa linja të Fushë Kosovës, operatorët thonë se s’ka zgjidhje – qytetarët ankohen për vështirësi në udhëtim

Kanë kaluar më shumë se tri javë që kur operatorët e transportit “PEP Trans”, “Egzoni Tours” dhe “Eni Trans” njoftuan pezullimin e përkohshëm të disa linjave që lidhin fshatrat e Fushë Kosovës me Prishtinën, ndërsa deri tani nuk është gjetur një zgjidhje për rikthimin e shërbimit, shkruan Sinjali.

Më 18 gusht, operatorët njoftuan se nga 19 gushti do të ndalonin qarkullimin në linjat Grabovc–Prishtinë–Grabovc, Harilaq–Prishtinë–Harilaq, Hencë–Prishtinë–Hencë dhe Miradi e Epërme–Prishtinë–Miradi e Epërme, duke e arsyetuar vendimin me vështirësitë financiare, rritjen e çmimit të karburantit dhe shpenzimeve operative.

Dhjetë ditë më vonë, më 28 gusht, operatorët mbajtën protestë para Komunës së Fushë Kosovës, me kërkesë që institucionet të angazhohen për gjetjen e një zgjidhjeje që do të mundësonte vazhdimin e transportit.

Por edhe pas protestës, situata mbetet e pandryshuar.

“PEP Trans” i ka thënë Sinjalit se diskutimet me institucionet kanë nisur që në janar dhe se deri tani është zhvilluar një takim, por pa u arritur marrëveshje.

Sipas përfaqësuesit të kompanisë, rritja e kostove të operimit e ka bërë të vështirë vazhdimin e punës me çmimet aktuale të biletave.

“Nafta ka shkuar gati dy euro, të gjitha sendet janë shtrenjtuar”, ka thënë ai, duke shtuar se operatorët nuk kanë dashur ta ndërpresin shërbimin, por se sipas tij, gjendja financiare e ka bërë të pamundur vazhdimin e punës.

Ai ka thënë gjithashtu se qytetarët vazhdimisht po kontaktojnë operatorët për transportin, ndërsa kërkojnë që të gjendet një zgjidhje.

Edhe nga “Egzoni Tours” kanë konfirmuar për Sinjalin se linjat vazhdojnë të jenë të pezulluara dhe se deri tani nuk ka zgjidhje.

Nga kjo kompani kanë thënë se një prej opsioneve që kanë propozuar është subvencionimi i transportit nga Komuna, në mënyrë që shërbimi të vazhdojë dhe qytetarët të mos përballen me rritje të çmimit të biletës.

“Pengesa më e madhe janë operatorët ilegal taxi-t edhe autobusët që vinë nga komunat tjera e marrin pasagjerë në komunën tonë”.

Ndërkohë, Eni Trans i ka thënë Sinjalit se edhe kjo kompani ende nuk i është kthyer punës.

“Akoma s’ju kemi kthy punës, të shofim çfarë do bëjmë tutje”, është përgjigjja e kompanisë.

Në anën tjetër, shqetësimi po reflektohet edhe te qytetarët që përdorin këto linja.

Sinjali ka pranuar ankesa nga qytetarë të cilët thonë se po hasin vështirësi për të siguruar transport, veçanërisht pas fillimit të vitit të ri shkollor.

Sipas tyre, problem më i madh është për nxënësit dhe personat që udhëtojnë çdo ditë për në punë, të cilët tash duhet të gjejnë alternativa tjera për të arritur në Prishtinë apo për t’u kthyer në shtëpi.

Disa qytetarë thonë se janë të detyruar të përdorin veturat e tyre, pavarësisht kostos së lartë të karburantit, ndërsa të tjerë deklarojnë se duhet të nisen shumë më herët për të gjetur mënyra alternative të transportit.

“Po duhet me u nisë një orë më herët për punë, e për çka… veç me bo një zgjidhje për transport, nuk kam llogari me humbë punën”.

Sinjali ka kontaktuar edhe Komunën e Fushë Kosovës për të marrë qëndrimin e saj lidhur me situatën, takimet me operatorët, mundësinë e subvencionimit dhe nëse ka ndonjë plan konkret për rikthimin e këtyre linjave.

Deri në momentin e publikimit të këtij artikulli, Komuna nuk ka kthyer përgjigje.

Mbetet e paqartë se kur do të rikthehet transporti në këto linja, ndërsa operatorët thonë se pa një zgjidhje institucionale nuk mund ta vazhdojnë shërbimin me kushtet aktuale.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/

LAJME TË NGJASHME

LAJMET E FUNDIT