Dhjetëra persona dyshohet se kanë humbur jetën pasi një varkë me migrantë, e nisur nga Gambia muajin e kaluar, u gjet duke lundruar pa kontroll pranë Ishujve Kanarie të Spanjës.
Drejtuesja e organizatës spanjolle Caminando Fronteras, Helena Maleno, deklaroi se 83 nga 127 personat që ndodheshin në varkë kanë vdekur. Në mesin e viktimave dyshohet se janë katër gra dhe një foshnjë, raporton CNN.
Sipas saj, migrantët ishin nisur nga Gambia 27 ditë përpara se varka të gjendej.
Shërbimi spanjoll i shpëtimit detar, SASEMAR, njoftoi se mjeti lundrues u gjet rreth 65 milje detare në jugperëndim të Arguineguínit, në jug të Gran Canarias.
Ekipet e shpëtimit arritën të shpëtonin 44 persona. Tre prej tyre ishin në gjendje kritike dhe u transportuan me helikopter në një spital lokal.
SASEMAR bëri të ditur se trupat e pesë personave të tjerë nuk mundën të nxirreshin nga varka për shkak të kushteve të pafavorshme atmosferike, të cilat vështirësuan operacionin.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!


